Negociatat për kufirin detar me Greqinë, Topi: Duhet maturi, të përfshihen komisionet e linjës

Kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi të vitit 2009, arsye kryesore ishte mungesa e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës. Bamir Topi, ishte presidenti i kohës, të cilit nuk iu kërkua plotfuqia nga qeveria Berisha, para se grupi negociator të hynte në bisedime me Greqinë. Ish-presidenti madje thotë se negociatat iu mbajtën të fshehta.

Sot, kur palët mund të riulen në bisedime me grupin negociator të formuar nga qeveria Rama, Topi mbështet mbajtjen e bisedimeve në krye të agjendës, por shoqëruar me veprime të matura.

“Ministria e Jashtme dhe grupi negociator, pavarësisht nga konjukturat që ndërtohen duhet ta ketë punë të natyrshme të veten. Kjo punë nuk mund të shkojnë pafundësisht. Duhet të merren, jo të dekurajohen. Sigurisht që kjo është një punë që do durim, do shpejtësi dhe do garantim të plotë sipas standardeve ndërkombëtare të detit”, thotë Topi në një intervistë për A2.

Në vlerësimin e ish-presidentit, i gjithë procesi i negocimeve duhet të përfshijë edhe komisionet parlamentare të linjës, për të shmangur gabime që mund të rëndojnë mbi shtetin shqiptar.

“Çdo etapë e punës së këtij grupi duhet të filtrohet patjetër në komisionin e politikës së jashtme, mund të përfshihen edhe komisionet e sigurisë e të ligjeve. Sa më shumë filtra, aq më shumë ka garanci që nuk do të bëjmë gagbime që mund të konsiderohen historike e të pariparueshme”.

Përveç mungesës së plotfuqisë nga presidenti, në vendimin e vitit 2010, Gjykata Kushtetuese renditi si argumente për rrëzim edhe mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm dhe mos marrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.