Përfundon misionin i mjekëve italianë, Manastirliu: Vetëm duke bashkëpunuar mund ta luftojmë virusin

Untitled collage 28 1 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu priti në një takim grupin e mjekëve italianë, të cilët për 2 javë ofruan veprimtari konsulence për homologët shqiptarë në luftën kundër koronavirusit.

Manastirliu i falënderoi mjekët për eksperiencën dhe kontributin e vyer duke thënë se vetëm me veprime të unifikuara mund të fitohet beteja kundër këtij virusi vdekjeprurës.

“Vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe veprimeve të unifikuara do të mund t’a fitojmë luftën me virusin e rrezikshëm. Eksperienca juaj në spitalet COVID dhe këshillat konkrete për organizimin spitalor janë të vyera dhe ndihmojnë strategjinë tonë të përgjigjes së sistemit shëndetësor ndaj situatës, me planin e vjeshtë-dimrit që ne kemi përgatitur për të përballuar një rritje të mundshme të numrit të rasteve. Unë jam e bindur se ky mision nuk do të jetë i vetmi por bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në misione të tjera”, tha Manastirliu.

Dy javë më parë, Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga shtatë ekspertë erdhi në Shqipëri në mbështetje të vendit tonë në përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID-19.