Zaev merr mandatin, ka 20 ditë kohë për krijimin e qeverisë

ZAEV MERR MANDATIN frame 626 1100x620

Presidenti i Maqedonisë së Veriut,  Stevo Pendarovski i dorëzoi mandatin kreut të LSDM-së, njëherazi udhëheqësit i koalicionit “Mundemi” ZoranZaev, për formimin e qeverisë së re. Zaev tha se Maqedonia e Veriut do të ketë një qeveri e cila do të vazhdojë rrugën drejt Bashkim Evropian. Megjithatë ai nuk bëri të ditur nëse i ka siguruar 61 votat e nevojshme, e as nuk qartësoi pozicionin me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), bisedimet më të cilin thuet të kënë ngecur për shkak të postit të kryeministrit.

“Ne po vazhdojmë bisedimet. Kemi përparuar në shumë aspekte, por kemi edhe çështje të jera që nuk i kemi mbyllur; janë çështje serioze. Nuk do të japë detaje papasur diçka konkrete. Është me rëndësi që sa më parë të formohet qeveria, të cilën jam i gatshëm ta drejtoj në katër vitet e ardhshme”, tha Zaev.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ditën e enjte kishte ftuar në takim kryetarët e partive të tjera shqiptare, për të biseduar mbi zhvillimet politike e synimet në mandatin e ri, por asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur ftesës së Ahmetit. Ata kërkuan një tjetër datë për takimin, me kushtin që agjenda të jetë  e qartë.

Sa i përket bisedimeve për qeverinë e re, edhe Ahmeti nuk ka dhënë detaje, duke theksuar se gjithçka do të përcaktohet në ditët në vijim. “Unë nuk dua të paragjykoj negociatat dhe epilogun e bisedimeve. Për çdo zhvillim opinion do të njoftohet. BDI-ja vepron me kokë të ftohtë dhe me zemër zjarri. Gjithçka që do të ndërmarrim do të jetë në dobi të të gjithëve”.

LSDM-ja e Zoran Zaevit fitoi 46 mandate në zgjedhjet e 15 korrikut, BDI-ja  15, opozita shqiptare 12 dhe  PDSH-ja 1. Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE-së e cila ka 44 ulëse në kuvend.