“4 rajonet”, Beqaj zbulon modelin e kryeqendrave të rajoneve

Socialistët nuk heqin dorë. Jo vetëm që mbrojnë ligjin për kohezionin dhe zhvillimin e rajoneve që presidenti Meta e ktheu për rishqyrtim, por shkojnë edhe me tej.

Pavarësisht se nuk janë parashikuar në ligj, cilat do të jenë 4 rajonet, mazhoranca duket se do të ndjekë të njëjtin model me drejtoritë rajonale arsimore.

Këtë e zbulon për A2 deputeti socialist Ilir Beqaj. “Katër rajonet e Shqipërisë dihet kush janë, kanë qenë pjesë e reformës territoriale, qendra e arsimit për veriun është në Lezhë, qendra e bujqësisë për Fierin, Vlorën dhe Gjirokastrën është në Lushnjë. Ne i kemi krijuar para tre vjetësh këto qendra”, thotë ai.

Ndërkohë dy rajonet e tjera, sipas ndarjes që i është bërë arsimit, do të jenë me kryeqendër Durrësin dhe Korçën.

Beqaj gjithashtu hodhi poshtë akuzat për përfitime financiare të qeverisë nga BE. “Nuk po i monopolizojmë fondet e BE, nuk është ky mentaliteti me të cilin mund të shkosh në BE,  por BE ka disa parime dhe standarde, dhe nuk pranon të financojë komunitete që nuk janë në gjendje të komunikojnë me Brukselin”, vijon Beqaj për A2.

Duke hedhur poshtë akuzat se ligji u bë për përfitime politike, Beqaj tha se kjo ndarje do të ndikojë për një sinergji më të mirë mes bashkive, dhe këtë e ilustron me rrugën e Arbrit, ku sipas tij nga investimi në Dibër,  përfitojnë bashkitë brenda rajonit si Durrësi dhe Tirana.