Dëmet e tërmetit, vonesa me bonusin e qirave dhe pamundësi aplikimi

Dhjetëra banorë të qytetit të Durrësit protestuan para Bashkisë së qytetit për probleme që lidhen me bonusin e qirasë dhe aplikimet për fondet e rindërtimit për dëme të shkaktuara nga tërmeti.

Banorët janë shprehur se ka vonesa në dhënien e bonusit të qirasë për muajin korrik, çka u ka sjellë probleme me qiradhënësit. Bashkia dhe këshilli bashkiak kanë miratuar disa lista me qytetarët që kanë përfituar fonde për shkak të dëmeve nga tërmeti sipas nivelit ds1, ds2 dhe ds3. Ne total janë afro 8000 qytetarë që përfitojnë fonde nga programi “Shtëpia ime”, por akoma ka mjaft të tjerë që nuk kanë aplikuar. Ata kërkojnë që të hapen përsëri aplikimet pasi nuk kanë mundur të aplikojnë më parë.

Aktualisht, Bashkia, në bashkëpunim me IKMT, po punojnë për prishjen e banesave të ulëta dhe pallateve që Instituti i Ndërtimit i ka nxjerrë për shembje. Pas tyre, pritet të nisë puna për pallatet e dëmtuara me kodin ds4 dhe banesat që do të rindërtohen nga e para.