Kaos për mijëra pushues, rikthehet karantina për britanikët që kthehen nga Franca

Planet e mijëra pushuesve janë zhytur në kaos pasi Britania e madhe riktheu karantinën 14-ditore për të gjithë ata që vijnë nga Franca. Të prekur do të jenë gjithashtu të ardhurit nga Holanda, Monako e disa shtete të tjera që kanë shënuar rritje të rasteve me koronavirus. Vendimi u mor pasi kryeministri francez njoftoi se shifrat e infektimeve po shkonin në drejtimin e gabuar.

Rastet me Ccovid-19 në Francë, kanë shënuar një rritje prej 66% për 100 mijë  banorë e të enjten, autoritetet franceze raportuan 2524 infektime, shifra me e lartë kjo që prej heqjes së kufizimeve.

“Franca po ecën në drejtimin e gabuar, me nivelin e infektimeve që është rritur ndjeshëm. Njerëzit duhet të karantinohen kur të kthehen pasi ne kemi punuar shumë për ta bënë situatën nën kontroll dhe gjëja e fundit që duam është që qytetarët të sjellin virusin këtu”, tha Grant Shapps, ministër i Transportit në Britaninë e Madhe. Kryeministri Boris Johnson pohoi se do të tregohet absolutisht të pamëshirshëm në rregullat e udhëtimeve nga jashtë, për të parandaluar riinfektimin e popullsisë.

Parisi ka reaguar duke thënë se do kundërpërgjigjet më masë reciproke. Rreth 160 mijë pushues britanike gjenden aktualisht në Francë. Masa e karantinimit hyn në fuqi të shtunën, dhe pritet që mijëra turistë të dëshpëruar për të shmangur masën të vërshojnë drejt porteve dhe aeroporteve. Të tjerë, të cilët nuk mund të kthehen do të duhet të shkëputen nga punët dhe shkollat për dy javë të tjera.

Sajti i Eurotunnel po përballet me vështirësi për trajtimin e fluksit të madh të kërkesave, ndërsa çmimet e biletave nga Parisi në Britaninë e Madhe u rritën nga 66 paund në 450 paund. Shumë fluturime direkte nga jugu i Francës janë të ezauruara.