Palestina reagon ashpër pas marrëveshjes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

Është cilësuar si një kthesë historike e politikës në Lindjen e Mesme, marrëveshja e paqes e arritur mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Pas më shumë se 49 vjetësh, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet diplomatike. Do të shkëmbejnë ambasadat dhe ambasadorët dhe do të nisin bashkëpunimin mbi një sërë çështjesh, përfshirë turizmin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA si nisjen e një epoke të re për vendin e tij. “Nga sot nis një epokë e re paqeje mes Izraelit dhe botës arabe. Është një privilegj të nënshkruajmë marrëveshjen e tretë me një vend arab, pas atyre me Egjiptin dhe Jordaninë”, tha Netanyahu.

Izraeli ka pranuar të pezullojë aneksimin e disa pjesëve të Cisjordanisë në këmbim të normalizimit të lidhjeve me Emiratet e Bashkuara Arabe. Me kërkesë të presidentit Trump, Telavivi do të pezullojë shpalljen e sovranitetit në zonat e përcaktuara në planin e paqes së Shteteve të Bbashkuara dhe do të përqendrohet në shtrirjen e lidhjeve me vende të tjera të botës myslimane.

I ashpër ka qenë reagimi I Palestinës, e cila e quan një thikë pas shpinë marrëveshjen. “Lidershipi palestinez refuzon marrëveshjen dhe denoncon njoftimin e papritur për normalizim të plotë mes shtetit pushtues të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara”, tha Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit Mahmud Abbas. Sipas autoriteteve palestineze marrëveshja legjitimon agresionin kundër popullit palestinez.