Pastrimi i parave, Instituti i Bazelit: Shqipëria me rrezik të lartë në Europë

Në një hartë jeshile të Europës, Shqipëria është i vetmi vend i ngjyrosur me portokalli. Kjo për të treguar një parajsë për ata që kërkojnë të pastrojnë para dhe ta bëjnë këtë gjë pa u kapur.

Raporti i fundit i Institutit të Bazelit për Qeverisjen, e rendit Shqipërinë ndër vendet me rrezikun më të lartë për pastrimin e parave në Europë dhe Azinë Qendrore, lënë pas vetëm nga Uzbekistani, Turqia, Taxhikistani dhe Kirgizistani.

Arsyet që lidhen me këtë klasifikim kanë të bëjnë me korrupsionin, ryshfetet, problemet me gjyqësorin dhe çështjet politike. Mendimet e këtij raporti janë shprehur më herët edhe nga Moneyval, që e ka vendosur vendin në listën e monitorimit dhe vazhdimisht apelon për forcimin e mekanizmave të kontrollit.

Raporti del në një moment kur parlamenti shqiptar është duke shqyrtuar projektligjin për amnistinë fiskale, që do të bëjë faljen penale për individët dhe bizneset që kanë fshehur pasurinë e tyre ndër vite. Rreziku i pastrimit të parave të pista përmes këtij procesi ka qenë ndër shqetësimet e hershme të ekspertëve dhe palëve politike.