Përplasje në ujërat e Mesdheut, Kocaqi: Kjo nuk është vetëm histori kufijsh, por hidrokarburesh

Historiania Elena Kocaqi tregon për A2 të gjithë konfliktet që ditët e fundit po ndodhin në Mesdhe, veçanërisht midis Turqisë dhe Greqisë, por edhe konfliktet ende të pazgjidhura të Athinës zyrtare me Shqipërinë, ku nën petkun zyrtar të përcaktimit kufitar fshihen interesa ekonomike të mëdha.

“Nuk bëhet thjesht fjalë për përcaktim kufiri, por për zonat ekonomike ekskluzive që kanë pasuri nëntokësore të madhe, janë zona ku mendohet se ndodhen sasi të mëdha hidrokarburesh”, thotë ajo.  

Sipas saj, pretendimet e Greqisë në këto kërkesa janë të tepërta, sepse “shelfi kontinental ka prevalencë ndaj ishujve. Në konfliktin me Turqinë, me një ishull 11 kilometër katrorë është marrë një zonë ekonomike ekskluzive sa një herë e gjysmë Shqipëria”.

Të paprecedent, e quan ajo ndërhyrjen franceze në krah të Greqisë, ndërkohë që nuk kuptohet pse një shtet i rëndësishëm merr krahun e një prej palëve në konflikt, kur të tre vendet janë anëtare të NATO-s. Kocaqi sheh aty vullnetin e Parisit për t’u propozuar si fuqi në Mesdhe, por sipas saj pa patur fuqinë ekonomike dhe ushtarake për t´u afirmuar.