Bllokimi në kufi, ministrja Xhaçka: Më vjen keq, por ishte vullneti i tyre që lëvizën në kohë të pazakontë

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u ka bërë thirrje njerëzve që janë mbledhur në radhë në kufirin grek që të kthehen nëpër shtëpi dhe të presin kur të fillojë regjimi i ri nga pala greke.

“Jemi në bisedime me palën tjetër që të shtojë ritmin dhe të kalojnë sa më shumë persona që të jetë e mundur. Por në momentin kur të mbyllet kufiri, duhet të kthehen nëpër banesa, të kenë një çati në kokë, e të mos rrinë në këtë zheg”, tha ministrja. “Më vjen shumë keq që shumë nëna, fëmijë dhe pleq, janë ekspozuar te kjo torturë gjatë këtyre ditëve, por ishte vullneti i tyre. Kanë lëvizur në një kohë të pazakontë, në një kohë kur nuk mund të sillemi si normalisht. Shteti fqinj mund të kishte vendosur ta mbyllte fare kufirin, çfarë mund të kishim bërë? Kjo kategori udhëtarësh kanë pasur mundësi të lëvizin, por janë të detyruar t’i nënshtrohen masave dhe kufizimeve, që nuk janë tonat”.

Në Kakavijë mendohet se janë mbi 15 mijë persona që presin në radhë për të kaluar kufirin, shqiptarë me pasaporta greke që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj. Radhët kilometrike kanë shkaktuar një krizë të vërtetë, ku është dashur ndërhyrje e autoriteteve për të ofruar ujë dhe shërbime të tjera.

Greqia ka vendosur që të mos lejojë hyrjen brenda territorit të saj të personave pa bërë testin e Covid-19, ndërsa autoritetet shqiptare u rekomandojnë njerëzve që ta kryejnë testin në Shqipëri, në klinike private dhe ta përkthejnë në anglisht për ta pasur më të lehtë kalimin e kufirit.