Dhuna ndaj policisë, Gjykata dënon 38 protestues opozitarë, burg dhe 1250 orë punë

Plot 38 persona, të akuzuar për dhunë ndaj policisë gjatë protestës opozitare të 13 prillit 2019 para Kryeministrisë dhe Parlamentit, janë deklaruar fajtorë nga Gjykata e Tiranës.

Në përfundim të një procesi të nisur në nëntor të vitit të kaluar, gjykata ka vlerësuar se të gjithë të pandehurit ishin fajtorë për “kundërshtim të punonjësve të policisë”. Fajësia e tyre u provua nga këqyrja e pamjeve filmike të protestës si edhe raport shërbimet e punonjësve të policisë.

Referuar vendimi të gjyqtarit Ahmet Metaliaj, një kopje të të cilit u siguruar nga A2, dënimi më i rëndë ishte ai me nga 1 vit burg për Armando Gecajn dhe Florian Markun. Sipas gjykatës, Gecaj ka mbajtur një zinxhir në duar me të cilin ka qëlluar punonjësit e policisë, ndërsa Florian Marku është personi që urinoi tek dera e kryeministrisë.

Përveç dhunës ndaj policisë Gecaj e Marku janë fajësuar edhe për “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Dy protestues të tjerë janë dënuar me nga 10 muaj burg dhe një tjetër me 5 muaj. Për tetë vetë masa e dënimit ka qenë 4 muaj burg, por janë lënë përfundimisht në shërbim prove për 8 muaj. Ndërsa dënimet e lehta me burg të pjesës më të madhe të të pandehurve, plot 25 të tillë, janë konvertuar në punë të papaguar në interes të publikut, 1250 orë punë në total.

Të gjithë të lartpërmendurit janë vënë re që gjatë protestës janë përplasur me kordonin policor tek kryeministria, si edhe tek parlamenti. Sipas vendimit, të gjithë të dënuarit me burg e kanë shlyer dënimin e tyre me kohën e paraburgimit, ose të qëndrimit në arrest shtëpie.

Ndryshe nga seanca për caktimin e masës së sigurisë, kur në gjykatë ishin të pranishëm dhjetëra ish-deputetë të opozitës, vendimi i fajësisë nuk ka ngjallur asnjë reagim tek selia blu apo zyrtarët e saj.