Ministrja Xhaçka për situatën në Kakavijë: Ata që presin në radhë të kthehen në banesat e tyre

“Gjithsecili duhet të jetë i ndërgjegjshëm që këto janë masa të diktuara për parandalimin e COVID-19, nga një shtet tjetër”, kështu shkruan ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka për situatën e krijuar në ditët e fundit në pikën kufitare të Kakavijë, ku mijëra qytetarë presin të kalojnë drejt Greqisë.

“Forcat e Armatosura vijojnë të qëndrojnë në Kakavijë për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari që qëndron në radhë, por numri i qytetarëve që lejohet të kalojnë është mjaft i kufizuar dhe kalimi i të gjithë atyre që janë aktualisht në radhë fatkeqësisht është i pamundur”, thuhet në postimin e Xhaçkës.

Ministrja e Mbrojtjes iu bën mes të tjerash thirrje qytetarëve të mos iu drejtohen pikave kufitare me Greqinë, por edhe ata që presin në radhë të kthehen në banesat e tyre, deri në normalizimin e situatës.