Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Policia: Parandaluam një vrasje të trefishtë, 2 të arrestuar

Nga A2 CNN
15 Gusht 2020, 17:23 | Kronikë

Policia e Fierit thotë se ka arrestuar një person i cili sipas saj po planifikonte të kryente një vrasje të trefishtë. Në pranga ka përfunduar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se po e ndihmonte duke e fshehur.

“Pas marrjes së informacionit mbrëmjen e djeshme se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri kallashnikov në qytet dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të trefishtë, përgjatë natës dhe paradites së sotme, është rrethuar zona dhe janë zhvilluar dhjetëra kontrolle në ambiente, në rrugë, në automjete me pika kontrolli, në  banesa të braktisura, në disa banesa të të afërmeve të personit të dyshuar, pasi  personi i dyshuar në momentin që ka parë që po afroheshin shërbimet e Policisë ka mundur të largohet në rrugët e brendshme të lagjeve të qytetit  duke përfituar dhe nga errësira.

Falë kontrolleve të shumta, krehjes së zonës dhe shërbimeve grackë, mesditën e sotme u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit I. P., 36 vjeç, banues në Fier.

Gjithashtu u arrestua për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit" shtetasi A. M., 59 vjeç, pasi kishte fshehur gjatë natës  në banesën e tij shtetasin I. P.

Po gjatë operacionit policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën kallashnikov me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krim të trefishtë”, thotë Policia.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi I. P., 36 vjeç, banues në Fier, pas një konflikti për motive të dobëta në lagjen "15 Tetori", me shtetasit L. P., 30 vjeç; K. P., 25 vjeç dhe A. P., 28 vjeç, banues në Fier, është larguar nga vendngjarja për të siguruar një armë zjarri dhe është rikthyer me synimin për ti vrarë shtetasit e lartpërmendur, por sapo ka parë shërbimet e policisë të afroheshin drejt tij, është larguar me shpejtësi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë