Problematika në Kakavijë, Lleshaj thirrje qytetarëve të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë

lleshaj kuvend akti normativ 1100x620

Problematika në rritje në pikën kufitare të Kakavijës ka sjellë dhe reagimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj iu bën thirrje qytetarëve që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë deri në normalizimin e situatës, ose të ndalojë dhe të presin në fshatrat e qytetet përgjatë rrugës.

“Me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe të pritjes në radhë të gjatë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve, Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtatshëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, deri në krijimin e mundësive reale për kalimin e kufirit, pa orë të stërgjatura pritjeje.

Ftojmë qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim me forcat e Policisë dhe strukturat e tjera të angazhuara në menaxhimin e kësaj situate të pazakontë, të padëshiruar, por edhe të pashmangshme”, shkruan ministri Lleshaj.