Zgjedhjet në SHBA, Shërbimi Postar paralajmëron vonesa në numërimin e votave

posta amerikane 1100x620

Shërbimi Postar amerikan bëri një paralajmërim në lidhje me zgjedhjet presidenciale së nëntorit, ku deklaron zyrtarisht se nuk mund të garantojë që votat e dërguara me postë do të arrijnë të numërohen shpejt, në një kohë që vendi përgatitet për votime masive përmes postës, për shkak të frikës së pandemisë së koronavirusit.

Sipas mediave amerikane, Shërbimi Postar iu ka dërguar letra 46 shteteve amerikane ku thuhet se ekziston rreziku që votuesit nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të plotësuar fletët dhe për t’i dërguar në kohë.

Në një letër dërguar shtetit të Pensilvanisë, Shërbimi Postar rekomandon që fletëvotimet të postohen brenda datës 27 tetor, një javë para datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të arrijnë në kohë për t’u numëruar.

Presidenti Trump është shprehur disa herë se zgjedhjet mund të manipulohen nëse fletët e votimeve dërgohen me postë, duke thënë se Rusia dhe Kina mund t’i falsifikojnë ato.