Kakavijë: Ardhja e zyrtarit grek “zhbllokon” situatën, vargu mund të kalojë i gjithi sonte

Diçka gjithsesi po lëviz minutat e fundit pasi sipas informacioneve ka ardhur për herë të dytë në pikën kufitare zëvendësdrejtori  i policisë së Janinës për një inspektim të situatës. Sipas informacioneve, autoritetet e dy vendeve kanë dakordësuar të kaloj i gjithë vargu sot.

Ndërkohë që në Kapshticë A2 raporton një situatë tashmë normale në fluksin e automjeteve që i drejtohen vendit fqinj, në Kakavijë situata mbetet e rëndë.

Disa qindra automjete ndodhen ende në radhë për të kaluar kufirin, por koha nuk premton një zgjidhje për të gjithë. Sipas burimeve të A2, nga ora 6 e mëngjesit, kur u hap pika kufitare greke, e deri në orën 19:00 kanë arritur të kalojnë kufirin 2031 persona, ose 837 automjete të ndryshme.

Në qoftë se llogarinë e fillojmë nga ora 22:00 e ditës së djeshme, bëhet fjalë për 2781 persona dhe 1167 mjete.

Sipas një përllogaritje në terren, me ritmet aktuale autoritetet kufitare greke arrijnë të kalojnë rreth 150 persona në orë, çka do të thotë që në orën 22:00, ku hyjnë në fuqi masat e reja që parashikojnë testimin ndaj COVID-19, nuk do të mund të procesohen më shumë se 500 persona të tjerë, shifër kjo e pamjaftueshme për t’i gjetur zgjidhje të gjithë atyre që presin prej tri ditësh në gjendje të vështirë fizike, higjienike dhe morale.