Lëvizja drejt Greqisë, nga sot hyjnë në fuqi masat e reja

kakavija radhet 1100x620

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe prej disa javësh më parë, nga sot hyjnë në fuqi masat e reja të vendosura nga autoritetet greke për personat që duan të hyjnë në vendin e tyre.

Kështu nga data e sotme 16 gusht kushdo që do të hyjë në Greqi do të qëndrojë në karantinë për 7 ditë. Një masë kjo shumë e nevojshme për të frenuar përhapjen e pandemisë në vendin fqinj, e cila në ditët e fundit ka regjistruar një rritje të ndjeshme të rasteve të reja.

Ndërkohë duke nisur nga e hëna nga pika kufitare e Kakavijës do të kalojnë 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona dhe të gjithë këta nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 22:00 të mbrëmje.

Ashtu si lajmëroi dhe policia e shtetit do të lejohen të udhëtojnë drejt Greqisë, qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme.

Këta persona duhet të paraqesin në kufi testin negativ të COVID-19, vërtetimin e diagnozë të përkthyer në anglisht, vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR.

Mësohet se testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratorët e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.