Sulm me autobombë dhe snajper në hotelin e njohur, terror në Somali

somali elite hotel 1100x620

Një sulm që me shumë mundësi ka si autorë organizatën terroriste al-Shabaab ka prodhuar një bilanc me të paktën 5 viktima dhe dhjetëra të plagosur rëndë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadisho.

Sipas dëshmive, ende të paqarta, shpërthimi ka ndodhur në një nga hotelet më të njohur të kryeqytetit, Elite Hotel, në zonën e plazhit, i frekuentuar më së shumti nga diplomatë dhe pjesë të administratës së vendit afrikan.

Fillimisht ka ndodhur një shpërthim i shkaktuar me shumë gjasa nga një autobombë, më pas ka filluar një shkëmbim zjarri midis forcave të sigurisë dhe disa persona me snajper, që mendohet se mund të kenë marrë peng disa persona.  

Nga viti 1991, ish-kolonia italiane e Somalisë është shndërruar në një nga vendet më të varfra dhe të rrezikshme të botës, ku praktikisht qeveria ka autoritet pothuajse vetëm në kryeqytet, ndërkohë që disa fise në luftë me njëri-tjetrin dhe organizata ekstremiste islamike si al-Shabaab kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit.