Beqaj: Masat nuk janë respektuar, të mbyllen baret në plazh

Qeveria duhet të përgatisë një strategji të re kundër Covid-19 dhe mbyllje të bareve në bregdet. Kjo është ajo çka Ilir Beqaj do të bënte po të ishte sërish në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Ish-ministri thotë në një intervistë për A2 se shifrat janë rritur, por hedh poshtë akuzat e Partisë Demokratike për fshehje të tyre. 

Për Ilir Beqajn, nuk ia kemi dalë të zbatojmë me rigorozitet masat e vendosura nga qeveria dhe institucionet përkatëse kundër pandemisë. Në një intervistë për A2, Beqaj thotë se edhe në rastin më të keq të rritjes së numrit të të prekurve me Covid, dy spitalet e reja Covid janë të disponueshme.

Por, shifrat nuk bindin Partinë Demokratike, që akuzon për fshehje të të dhënave.

Si ish-ministër Shëndetësie, Beqaj ka disa sugjerime për pasardhësen e tij në këtë detyrë dhe kërkon me domosdoshmëri një strategji të re nga shtatori e në vijim: “Do të propozoja që të mbylleshin baret e plazheve, të gjitha klubet e plazheve të mos lejonin grumbullimin dhe të ndalohen “shkuma-party”. Ndërkohë që në shtator do të ishte mirë që të bëhej një vlerësim i përhapjes së sëmundjes në të gjithë vendin për të përgatitur më qartë strategjinë për vjeshtën dhe dimrin”.