Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Huaja në lekë, garancia sovrane ul ndjeshëm normat e interesit

Nga A2 CNN
17 Gusht 2020, 10:25 | Ekonomi
Huaja në lekë, garancia sovrane ul ndjeshëm normat e interesit

Instrumenti i garancisë sovrane të ofruar nga qeveria për të ndihmuar bizneset që të kapërcejnë situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 ka ulur ndjeshëm interesat e huave. 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit në tremujorin e dytë zbriti në 5,1% kundrejt nivelit 5,5% të shënuar në tremujorin e parë të këtij viti. 

Përveç skemave mbështetëse të kreditimit, banka qendrore vlerëson se presion për uljen e interesave kanë ushtruar edhe ulja e normës bazë si dhe niveli i bollshëm i likuiditetit në treg. 

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, interesat për periudhën prill-qershor janë ulur veçanërisht te huatë me madhësi deri në 35 milionë lekë si dhe tek ato nga 35 deri në 140 milionë lekë. 

Nga ana tjetër, për kreditë e mëdha që kapërcejnë mbi 140 milionë lekë, interesat e aplikuara janë në nivele më të larta dhe kanë shfaqur rritje që prej fillimit të vitit. 

Individët kanë përfituar nga ulja e normave të interesit te kategoria e financimit të konsumit, teksa interesat e kredisë për blerjen e banesave janë shfaqur të luhatshme dhe mesatarisht më të larta se në tremujorin e parë. 

Në kushtet e situatës së paprecedentë të krijuar nga pandemia dhe pasigurive në rritje për të ardhmen, bankat kanë aplikuar kushte dhe kritere më të shtrënguara për huatë e reja si për individët ashtu edhe për bizneset. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli