Humbja që nuk kapërdihet, zyrtarizohet shkarkimi i Setien nga Barça

setien 600x338

Ka zgjatur vetëm 6 muaj aventura e Quique Setien në krye të stolit të Barcelonës, e cila u mbyll me një humbje turpëruese nga Bayerni në Champions League, 8-2.

Situata e krijuar në skuadër, veçanërisht humbja e fundit, nuk mund të kapërdihej lehtë dhe shkarkimi i trajnerit është bërë zyrtar këtë të hënë.

Në një deklaratë të publikuar nga klubi i Barcelonës thuhet se bordi ka rënë dakord që Setien të mos drejtojë më Barcelonën.

Projekti i ri pritet të nisë me Ronald Koeman, një prej yjeve të së kaluarës te katalanasit dhe aktualisht trajner i përfaqësueses holandeze. Tekniku zbarkojnë aeroportin e Barcelonës, me zyrtarizimin që është çështje orësh.

Revolucioni në skuadër është i pashmangshëm, ku përpos emrave si Antoine Griezmann, ArturoVidal, Jordi Alba, as Luis Suarez e Gerrard Pique nuk e kanë më vendin të sigurt.

Tepër delikate është çështja e presidentit Bartomeu. Njeriu që e nisi drejtimin e klubit me tri trofetë madhore të fituar brenda një sezoni, por që ka rënë në një spirale negative, mes katastrofave në kupat e Europës dhe skandaleve në klub. Bartomeu i ka larguar të gjithë kundërshtarët nga bordi drejtues, duke mbajtur vetëm 14 anëtarë, numrin minimal për të qëndruar në post. Nëse dikush jep dorëheqjen, klubi duhet të bëjë zgjedhje të parakohshme.

Në të gjithë këtë situatë, mbetet për t’u zgjidhur çështja e Leo Messi-t. Klubi këmbëngul që ylli argjentinas do të qëndrojë, por në Spanjë janë të bindur se sulmuesi do të largohet. Për herë të parë, blaugranat e shohin veten përballë rrezikut real që të humbasin kapitenin, prej vitit 2000 kur u bë pjesë e Barcelonës.