Kakavija/ A duhej pritur dy ditë për të negociuar me palën greke? Majko tregon negociatat në A2

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, deklaroi se autoritetet shqiptare kanë qenë gjatë gjithë kohës në punë për të zgjidhur situatën e krijuar nga radhët e gjata në Kakavijë.

“Kemi qenë gjithë kohën në punë, por jo gjithçka që bëjmë duhet ta mediatizojmë. Pas mbylljes së krizës, është normale që të falënderojmë ministren e Mbrojtjes dhe ministrin e Brendshëm”, tha Majko.

Kur u pyet nëse ishte e nevojshme që të pritej dy ditë për të negociuar me palën greke, Majko u shpreh: “Ne nuk mund të bëhemi zot në shtëpinë e tjetrit dhe kjo histori mund të zgjidhej vetëm me negociata, por negociatat nuk nisen vetëm nga pala që i kërkon ato”.

Në lidhje me ndërhyrjen e Janullatosit për zgjidhjen e situatës në Kakavijë, Majko theksoi: “Nuk është tmerr që të ndërhyjë kryepeshkopi. Kemi ndërmarrë të gjitha masat që i konsideruam të nevojshme për t’i gjetur zgjidhje qytetarëve. Edhe pala tjetër nuk ishte e përgatitur për kërkesat tona që në 24 orët e para. Duhet falënderuar angazhimi i kujtdo në këtë situatë”.

Presidenti Ilir Meta u shpreh në një konferencë për shtyp se situata e krijuar ishte papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë. Në lidhje me këtë, Majko u përgjigj shkurt: “Presidenti është në linjën e tij të politikës, nuk ka asgjë të re këtu”.