Mbrëmje gushti në Durrës, masa mbrojtëse nga COVID-19 dhe dëshirë për pushime

Në mbyllje të një tjetër dite vere, shumë pushues apo vizitorë shijojnë perëndimin, ndërthurur me një xhiro në shëtitore.

Bien në sy pushuesit shqipfolës dhe shumë pak të huaj, ndërkohë të pakët janë ata ku reflektohet pasiguria, duke mos hequr maskat as në ambientet e hapura.

Kur i pyesim se si përjetohen pushimet në kohën e pandemisë globale, nuk ngurojnë të qëndrojnë indiferentë prej fenomenit dhe t’i shijojnë ato. Të tjerë pranojnë pasigurinë, por pa i ndalur të planifikojnë apo bëjnë pushimet verore të vitit.

Nga ana tjetër qëndrojnë përfaqësuesit  e njësive pritëse, që pohojnë se ky sezon ka qenë më i vështiri i përjetuar ndër vite, ndërsa vendimi për moslejimin e muzikës ka qenë ndikim më negativ se vetë virusi. 

“Një vit shumë i vështirë për ne, sidomos për masat e marra”, thotë Albulen Ndrepepaj, menaxher hoteli

“Kemi kapacitet deri në 30% me vitet e kaluara, është një vit shumë i vështirë për ne, sidomos për masat e marra. Fillimisht na u bllokua pishina, më pas me një vendim u lejua që strukturat akomoduese të shfrytëzonin edhe pjesën e pishinës, por tani kemi problemin e muzikës që na është ndaluar, sepse klientët nuk kanë më asnjë aktivitet ku të relaksohen në mbrëmje”, thotë Albulen Ndrepepaj, menaxher i një prej hoteleve me të mëdha në plazhin e Durrësit.

Sektori i turizmit po funksionin me rreth 20% të kapacitetit si pasojë e rënies së numrit të turistëve, ndërsa gjatë këtyre muajve të pandemisë afro 1 mijë biznese janë mbyllur në Durrës.