Çdo ditë 1 mijë viktima, ekspertët në SHBA: Mbani maskën, besoni te shkenca

Në Shtetet e Bashkuara, Covid-19 është tashmë shkaktari numër 3 i vdekjeve. Në mbarë vendin, nga shpërthimi i pandemisë janë regjistruar 5.4 milionë raste pozitive dhe mbi 170 mijë amerikanë kanë humbur jetën nga virusi. Ekspertët e shëndetësisë i kërkojnë qytetarëve të mbajnë maskën mbrojtëse dhe t’i besojnë shkencës.

Më shumë se 1 mijë viktima janë shënuar në çdo ditë të muajit gusht në Shtetet e Bashkuara. 

 “Do kisha dashur që të ishim izoluar si Italia. Kur Italia u mbyll në karantinë, njerëzit nuk lejoheshin të dilnin nga shtëpitë”, thotë Deborah Birx, koordinatorja e Shtëpisë së Bardhë për masat ndaj COVID-19.  

Për këtë arsye, ekspertët e shëndetësisë vazhdojnë t’i kërkojnë amerikanëve të jenë të kujdesshëm.

“Qindra mijëra jetë njerëzish mund të shpëtohen në qoftë se mbajmë maskë dhe nuk festojmë në oborret e shtëpive”. Anthony Fauci paralajmëron se shumë nga pacientët që rezultojnë pozitivë mund të kenë probleme afatgjata shëndetësore. 

 “Duhet të jemi të kujdesshëm kur themi se të rinjtë që nuk kanë përfunduar në spital janë mirë, kështu që lërini të infektohet se nuk ka problem. Jo, ka problem”, thotë mjeku i njohur.

Për këtë shkak, numri i viktimave është thuajse dyfishuar muajin e fundit. Ndaj Fauci edhe një herë i kërkon amerikanëve që të besojnë te shkenca.