Eksportet në pikiatë, sektorët dhe kompanitë më të goditura nga kriza

Rikthimi në normalitet i eksporteve shqiptare do të varet jo vetëm nga ecuria e prodhimit vendas, por mbi të gjitha nga situata në tregjet ndërkombëtare.

Fasonët, që janë grupi i tretë më i eksportuar në vend kanë pësuar në korrik një rënie vjetore prej 6.6%. Kjo për shkak të varësisë shumë të madhe nga kontratat me Italinë. Përballë vështirësive të shumta, sektori ka nisur ristrukturimin, ku prodhimi i tekstileve po orientohet drejt maskave dhe veshjeve mjekësore, ndërsa po rezulton më i vështirë për prodhimin e këpucëve.

Për sa i përket eksporteve të mineraleve dhe lëndëve djegëse, që në korrik u tkurrën me 3.6%, ecuria u ndikua nga situata e Bankers Petroleum, që është eksportuesi më i madh në vend. Ai ndërpreu përkohësisht prodhimin në prill e maj dhe tashmë është rikthyer në normalitet.

Gjithsesi, edhe në korrik eksportet ishin me rënie, teksa shitjes drejt Spanjës, që është destinacioni kryesor i Bankers ranë me 7.3%. Negativisht ka ndikuar dhe rënia e prodhimit të energjisë elektike, si rrjedhojë e motit të thatë.

Sektori i tretë me rënien më të madhe në eksporte është grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1.3% në korrik. Kurum, prodhuesi kryesor i këtij grupi dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend po rikuperon aktivitetin, pas një ndërprerje të përkohshme në fillimet e pandemisë.

Kërkesa në Maqedoni dhe Kosovë, që janë tregjet kryesore të eksportit është rritur. Por, bursat e metaleve mbeten shumë dobët dhe çmimet kanë shënuar ulje, kjo e ka ndikuar negativisht kompaninë, pasi po hyn më shumë hekur nga importi.

Ecuri pozitive ka grupi ”Ushqime, pije dhe duhan”, për shkak të rritjes së eksporteve bujqësore, por edhe faktin se industria mbeti e hapur gjatë periudhës së karantinës. Tkurrja e eksporteve është një lajm i keq për ekonominë shqiptare, pasi është një ndër burimet e rritjes së saj.

Rrjedhimisht, gjithçka do të reflektohet te recensioni i thellë që na rrezikon këtë vit që sipas skenarit më të mirë, atij të qeverisë do të jetë -5.7% dhe sipas skenarit më pesimist të BERZH në -9%.