Epidemiologët: Ministria të shpallë masat, nuk duhet të shtyhet mësimi

Kur ka mbetur më pak se një muaj nga data zyrtare e fillimit të shkollës dhe ende nuk dihet si do të zhvillohet mësimi, epidemiologët thyejnë heshtjen.  

Sipas tyre, në 14 shtator nxënësit duhet të rikthehen në shkolla, por me masa specifike sipas çdo grupmoshe. Ilir Alimehmeti, duke iu referuar raportit më të fundit të Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, thotë se moshat nën 18 vjeç janë më të rrezikuar nga pasojat e virusit.

Epidemiologu Alimehmeti i rekomandon Ministrisë së Arsimit të marrë masat e higjienës dhe distancimit sipas moshave dhe cikleve të shkollës.

Ministria e Arsimit ende nuk ka një vendim përfundimtar në lidhje me mënyrën se si do të zhvillohet mësimi pas datës 14 shtator dhe as ka bërë publike masat specifike, veçanërisht në shkollat që zhvillojnë mësimin me turne për shkak të numrit të madh të nxënësve. Madje, këtë përgjegjësi, Ministria ka vendosur ta ndajë me prindërit, duke kërkuar mendimin e tyre në lidhje me rikthimin ose jo të fëmijëve në shkollë.

Ndërkaq, burime për A2 nga Komiteti i Ekspertëve bëjnë me dije se viti shkollor do të fillojë në 14 shtator, por në shkollat me numër të madh nxënësish mësimi do të jetë i alternuar mes “online” dhe atij në klasë, ndërsa në shkollat me fluks më të ulët, nxënësit do të mësojnë me turne.