Kaloi testet e Covid-19, Tirana zbarkon në Gjeorgji

Tirana është gati për Champions League. Përpara se të zbrisnin në fushën e lojës, kampionët e Shqipërisë kaluan një prej testeve më të vështira, tamponin që konfirmonte se skuadra nuk ishte e prekur nga Covid-19.

Pas testeve, të gjithë, delegacioni bardheblu, stafi teknik dhe futbollistët rezultuan negativë, duke qenë në dispozicion të trajnerit Emanuel Egbo për ndeshjen ndaj Dinamo Tbilisit. Një sfidë më vete ishin edhe negociatat me Federatën Gjeorgjiane, e cila në fund pranoi protokollin sanitar të Federatës Shqiptare, i cili më parë ishte miratuar edhe nga UEFA.

Megjithë masat shtrënguese të përcaktuar nga qeveria gjeorgjiane, për shkak të situatës së pandemisë, protokolli sanitar i ndjekur në futbollin shqiptar u cilësua i vlefshëm për të realizuar hyrjen e kampionëve të Shqipërisë në Gjeorgji.

Tirana zbarkoi në Tbilisi, ku do të zhvillojë stërvitjen e fundit në kryeqytetin gjeorgjian, përpara ndeshjes që do të luhet të mërkurën, në orën 19:00.