Koreja e Veriut ndalon qentë në shtëpi, Kim: Janë elemente borgjeze

kim qente 1100x620

Ndër shumë gjërat që në Penian nuk lejohen, duke filluar nga liria e fjalës, sot i shtohen edhe qentë e shtëpisë.

Sipas mediave të Koresë së Jugut, lideri suprem Kim Jong Un, ka vendosur në korrik që gjithë qentë që ndodhen në shtëpitë private, praktikë kjo e përhapur veçanërisht në kryeqytet, të lënë familjet ku janë rritur dhe të mblidhen nga forcat ushtarake.

Akuza? Kafshët besnike janë në sytë tij dëshmi borgjeze. “Populli i thjeshtë rrit derra dhe bagëti, ndërkohë që zyrtarët e lartë posedojnë kafshë shtëpiake si qentë. Diçka kjo që ka sjellë pakënaqësi te shtresat e ulta”, mësohet të ketë thënë Kim Jong Un.

Sipas dëshmive, forcat e sigurisë po kalojnë nga shtëpia në shtëpi për t’u marrë qentë familjeve, edhe forcërisht.

Por akuza “borgjeze” ndaj qenve dhe pronarëve të tyre në fakt mund të fshehë diçka edhe më të rëndë. Kafshët mund të shërbejnë si ushqim për një vend të izoluar politikisht dhe nga Covid-19, dhe që ka kaluar sezone thatësire që kanë zvogëluar së shumti rezervat ushqimore.