Marrëveshja LSDM-BDI, kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit të mandatit

Untitled collage 41 1 1100x620

Lidhja Socialdemokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim finalizuan marrëveshjen për koalicionin e bashkëqeverisjes në Maqedoninë e Veriut. Dy liderët, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, u shprehën të kënaqur me pikat e dakordësuara.

Zaev, i cili është i mandatuar për formimin e qeverisë së re të vendit, tha se në bazë të marrëveshjes, ai do të jetë në drejtim të ekzekutivit për 4 vite. Ndërsa, bashkë me Ahmetin bënë të ditur se premtimi i kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut do të bëhet realitet për të paktën për 100 ditë të këtij mandati.

“100 ditë përpara përfundimit të këtij mandati qeveritar, partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI, me propozim të BDI-së, do të emërojnë një kryeministër. Ai do të drejtojë vendin në 100-ditëshin e fundit të këtij mandati”, tha Zaev.

“E tha edhe Zaev. Në Maqedoni ka pasur ministër të Mbrojtjes, ministër të Brendshëm, kryetar Parlamenti dhe kjo veç e ka përforcuar mirëbesimin midis qytetarëve. Çështja e kryeministrit mbetet një porosi për afrim dhe marrje përgjegjësie të shqiptarëve. Duhet përshëndetur edhe guximi i zotit Zaev që për herë të parë do të ketë kryeministër shqiptar në 100 ditët e Qeverisë”, theksoi Ahmeti.

Talat Xhaferi do të vazhdojë të mbajë postin e kryetarit të parlamentit edhe gjatë këtij 4-vjeçari, sipas asaj që deklaroi para mediave Zoran Zaev. Ndërsa shtoi se qeveria e re do të fokusohet në sistemin shëndetësor për të përballuar pandeminë Covid-19 dhe në reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian.