Para ndeshjes me Dinamo Tbilis, Egbo: Luajnë në shtëpi, por shanset janë 50-50

Championssss 1100x620

Para ndeshjes ndaj FC Dinamo Tbilisi ditën e mërkurë, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, është shprehur optimist edhe pse vë në dukje edhe avantazhet e kundërshtarit, i cili luan në fushën e tij dhe ka nisur prej 10 javësh kampionatin.

Për trajnerin e bardhebluve, shanset për kualifikim janë të barabarta dhe nëse lojtarët e drejtuar nga ai do të jepnin maksimumin, Tirana do të rikthehej triumfuese në Shqipëri.

Trajneri Tiranës, Emanuel Egbo në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Champions League është shprehur optimist dhe beson te rezultati pozitiv, pasi skuadra është gati të japë maksimumin.

Sa janë shanset e Tiranës për kualifikim në këtë ndeshje?

Mendoj që Dinamo ka një avantazh pasi luan në shtëpi. Por pavarësisht se ne luajmë në transfertë, jemi të mobilizuar gjithashtu. Tani jemi këtu dhe kemi ardhur për të marrë maksimumin në këtë ndeshje.

Presidenti ka thënë që është i lumtur për shortin. Ju si e mendoni?

Presidenti është shprehur ashtu pasi ka marrë në konsideratë edhe skuadrat e tjera që mund të shortoheshim, duke menduar që ata kanë më shumë eksperiencë se të dy skuadrat tona.

Ju keni luajtur edhe më parë ndaj Dinamos. Sot, si e shihni skuadrën?

Shoh që ka ndryshim, infrastruktura është shumë më mirë. Është një ndjesi shumë e mirë për të qenë përsëri këtu, veçanërisht si trajner. Nuk mund ta imagjinoni dot çfarë ndjesie është.

Ju e keni studiuar Dinamon. Kush mendoni se është lojtari më i rrezikshëm?

Ne e kemi parë Dinamon dhe mendoj që i dimë pikat e forta dhe të dobëta. Kanë lojtarë të fortë dhe luajnë futboll agresiv. Mendoj që përgjigjja ime nuk është për t’u ndarë me median.

Pak ditë më parë ju festuat 100 vjetorin. Si mendoni se do ndikojë kjo te sfida?

Ne nuk jemi këtu për shëtitje, por për të marrë maksimumin dhe nëse japim 100%, nesër besoj që do të marrim një rezultat pozitiv. Këtë i kam kërkuar gjithmonë skuadrës. Bëjmë më të mirën tonë dhe shpërblimi do të vijë.

Nëse Tirana e ka eliminuar njëherë përse mos të ndodhi sërish?

Unë kam thënë që shanset janë 50-50 edhe pse ata luajnë në shtëpi. Jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe dhe të japim maksimumin.

Korona është në favor apo në disfavorin tuaj?

Mendoj që ka pluset dhe minuset e veta. Prania e tifozëve do t’i jepte një impuls tjetër ndeshjes. Duhet të rikthehen pasi futbolli pa tifozë është si një ndeshje miqësore. Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Janë 90 minuta më të rëndësishme të Egbos?

Është një ndeshje në Champions League dhe duhet të japim maksimumin dhe të marrim atë çka na takon. Është ndeshje e rëndësishme për të gjithë ne, për tifozët e Tiranës dhe Shqipërisë.

Ndeshja e parë e 100 vjetorit të dytë…

Nuk i shoh fare statistikat. Për mua është ndeshja e radhës dhe duhet të bëjmë më të mirën për ta fituar.

Dinamo është në javën e 10, ndërkohë Tirana vetëm 1 miqësore. E shihni si disavantazh formën e kundërshtarit?

E kam thënë që avantazhi i tyre është aktiviteti në kampionat. Është një plus, por edhe ne sapo kemi mbaruar dhe boshti i skuadrës që ka fituar kampionatin është në ritëm. Lojtarët e rinj do të tentojmë ta kalojnë këtë moment dhe të përshtaten sa më shpejt me skuadrën.

Ngoo nuk është më pjesë e juaja. Mendoni se do ndihet mungesa?

Ai ka qenë lojtar kryesor deri në përfundim të kampionatit, por prurjet e reja dhe veçanërisht Muçi e ka zëvendësuar Michael më së miri në momentet që ka luajtur. Kemi besim te Muçi dhe futbollisti që kemi afruar tani në merkato. Besojmë që janë të gatshëm për të dhënë maksimumin kur t’iu jepet mundësia.