Pas Gjykatës së Apelit, në Vlorë mbyllet edhe një tjetër institucion nga koronavirusi

Prej ditësh infektimet me Covid-19 në qytetin e Vlorës kanë sjellë për pasojë mbylljen e disa institucioneve kryesore lokale të kryeqendrës së jugut.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit në Vlorë janë mbyllur me urdhër të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Gjykata e Apelit si dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura.

Në këto institucione kanë rezultuar pozitive persona të infektuar me COVID-19. Për ketë arsye inspektorati shtetëror shëndetësor ka vendosur mbylljen e këtyre institucioneve dhe tamponimin e punonjësve të tjerë të tyre që kanë qenë në kontakt ose pranë persona që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Institucionet do të qëndrojnë të mbyllura deri në daljen e përgjigjeve të rezultateve të tamponit që u janë marrë punonjësve të tjerë.

Sakaq më herët, gjatë javës së kaluar ISHSH kishte vendosur edhe mbylljen e bashkisë së qytetit si dhe të zyrave të Gjendjes Civile, të cilat vazhdojnë ende të jenë të mbyllura.

Sipas ISHSH, institucionet do të qëndrojnë të mbyllura për 7 ditë si masë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të infektimit me COVID-19.