Përplasi për vdekje 10-vjeçarin në Kakavijë, jepet masa për shoferin e ambulancës

Është dhënë masa e sigurisë për shoferin e autoambulancës Admir Golemi, i cili përplasi për vdekje tri ditë më parë një fëmijë 10-vjeçar nga Lezha, në afërsi të kthesës së fshatit Bularat, gjatë kthimit nga pika kufitare e Kakavijës.

Prokurorja e çështjes, Ermira Munelli paraqiti faktet nga ana e grupit hetimor, të cilat sqarojnë të gjithë ngjarjen e ndodhur mesditën e së shtunës së kaluar. Ndërkohë që avokati i të pandehurit, Çlirim Rabaj, ka dhënë sqarimet dhe argumentet e klientit të tij, i cili, sipas tij, ka qenë brenda normës së shpejtësisë së lejuar.

Ndërkohë që vetë shoferi i autoambulancës ka dhënë shpjegimet i pyetur nga gjykatësja Blerta Çibuku. Shoferi ka shpjeguar të gjithë rrjedhën e ngjarjes, duke thënë se kishte në automjet në momentin e përplasjes një të sëmurë dhe nxitonte për ta çuar në Spitalin e Gjirokastrës. Aty menjëherë i ka prerë rrugën fëmija 10-vjeçar, i cili ka dalë nga krahu i majtë i rrugës.

Sipas shoferit, shpejtësia e automjetit në momentin e aksidentit ishte 75 km/h.

Gjykatësja Blerta Çibuku ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për shoferin e autoambulancës.