Qafoku tregon për A2 ankthet që na presin në vjeshtë

Drejtori i gazetës “Fjala”, gazetari e analisti Roland Qafoku, në një lidhje direkte me studion e Ditari në A2 tregoi problematikat që e presin vendin tonë në vjeshtë.

“Shqipëria dhe bota në këtë kohë rrotullohet rreth pandemisë Covid-19. Vjeshta do të jetë vendimtare për disa çështje. E para, a do të reduktohen shifrat e pandemisë? Asnjë ekspert nuk e parashikon dot të ardhmen dhe vjeshta do të jetë përcaktuese, pasi në dimër bëhet bashkimi i koronavirusit me viruset e tjera të stinës, sipas ekspertëve. E dyta, si do të shkojë sistemi shëndetësor? Mjekët duhen vlerësuar sepse janë heronj në këtë situatë që po kalojmë sepse dihet niveli ynë shëndetësor. Por, a e përballojmë dot një fluks në rritje? Vjeshta do të përcaktojë shumë në këtë drejtim. Sistemi shëndetësor shqiptar është afër kolapsit me këtë rritje që po shikojmë përditë”, tha Qafoku.

Sipas tij, Shqipëria nuk do të jetë nga vendet e para që do të sigurojë vaksinën: “Nuk besoj se do të jemi nga vendet e para që do të sigurojmë vaksinën. Jam i sigurt që qeveria do të bëjë përpjekjet e veta, por nëse do të jemi nga vendet e fundit që do të kemi akses në vaksinë, do ta kemi të vështirë”.

Qafoku nënvizoi edhe problematikën e arsimit: “Sot nuk kemi ende datë se kur do të nisë mësimi. Ministrja e Arsimit del dhe thotë se nuk e di se çfarë do të bëhet. Duhet të kishte një plan A, B dhe C. Nëse nuk punon me plane, situata do të bëhet edhe më e rëndë”.

Në lidhje me ekonominë, Qafoku theksoi se “jemi të paqartë se çfarë do të ndodhë në vjeshtë, pasi mund të kthehet karantina. Shifrat ditore janë të larta dhe karantina është opsion. Ekonomia jonë do të rrënohet në këtë rast”.

Kur u pyet mbi veprimtarinë e SPAK-ut, Qafoku u shpreh: “SPAK-u është shpresa e fundit që ky shtet do të bëhet ashtu siç ne e duam të bëhet. Unë vijoj të jem optimist për SPAK-un sepse njoh njerëzit që janë aty. Prokuroria nuk është lënë të punojë nga politika gjatë gjithë këtyre viteve. Unë nuk besoj se SPAK-u është i Edi Ramës, kam besim te integriteti i tij. Nëse opozita e sulmon SPAK-un, duhet ta sulmojë me prova dhe fakte. Nesër, opozita tjetër do të thotë se SPAK-u është i Lulzim Bashës”.

Në fund, Qafoku foli edhe për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian: “Në këto momente, shqiptarëve nuk u intereson nëse Shqipërisë i hapen apo jo negociatat. Shqiptarët e kanë mendjen te ekonomia dhe pandemia. Qeveritë kanë fajet e veta, si të majta dhe të djathta, por edhe Bashkimi Evropian e ka zvarritur vendin tonë. BE-ja ka “përkëdhelur” Serbinë edhe pse serbët e pranojnë se aleat kryesor kanë Rusinë. Ndërkohë, Shqipërisë i nxirren kleçka”.