Situata në Kakavijë, LSI: SPAK të hetojë Ramën, rrezikoi jetën e qytetarëve

vasili 1100x620

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi nga SPAK-u që të marrë nën hetim kryeministrin Edi Rama në lidhje me situatën e krijuar në Kakavijë disa ditë më parë.

Nënkryetari i LSI-së tha se duke mos informuar qytetarët mbi rregullat e reja të vendosura nga pala greke, qeveria krijoi një situatë ku rrezikoi jetën e shtetasve të saj.

“Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë duhet të marrë nën hetim kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama në mënyrë të menjëhershme dhe pa humbur më kohë, siç ka humbur deri më tani. Sepse së pari duhet të zbardhet një më një dhe të çohet deri në fund çdo përgjegjësi penale që rëndon mbi kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama, se përse nuk i informoi qytetarët me të gjitha mjetet e komunikimit shtetëror dhe privat, për vendimin e qeverisë greke. Përse nuk ngriti asnjë strukturë, shtetërore për të menaxhuar e parandaluar situatën? Përse nuk bëri publik dhe nuk mobilizoi të gjithë kapacitetet shtetërore e private laboratorike  për bërjen e testimeve që u kërkoheshin në mënyrë të detyruar nga qeveria greke për të gjithë qytetarët shqiptarë që do të ktheheshin për në Greqi. Të zbardhet nga Prokuroria e Posaçme, përgjegjësia e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm lidhur me pjesën shumë të rëndës dhe delikate të rrezikimit të jetës dhe shëndetit që ndodhi për shkak të kësaj ngjarje të paralajmëruar me kohë dhe zyrtarisht. Prokuroria Speciale ka detyrim shumë të fortë të pakapërcyeshëm ndaj ligjit, por edhe në pikëpamje njerëzore në raport me shqiptarët, që të veprojë menjëherë pasi mosveprimet e Edi Ramës kanë prodhuar pasoja të rënda mbi qytetarët”, tha Vasili.