Vrasja e 23-vjeçarit në Shkodër, në pranga autori i dyshuar, gjendet arma e modifikuar

Policia e Shkodrës, brenda disa orëve, ka mundur të identifikojë dhe arrestojë një nga dy autorët e dyshuar të vrasjes së 23 vjeçarit, Gledis Kraja, mbrëmjen e së hënës në qytetin e Shkodrës.

I arrestuari është Stjuart Smakaj. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pas rrethimit të zonës, ku dyshohej se fshihej i dyshuari, kanë bërë të mundur arrestimin e tij. Ndërkohë, për të njëjtën ngjarje, vazhdon të jetë në kërkim policor vëllai i të arrestuarit, Sebastjan Smakaj.

Sakaq, grupi hetimor që shkoi në vendngjarje ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 18 gëzhoja.

Pas arrestimit të të dyshuarit, policia ka gjetur edhe armën e krimit, e cila ishte e modifikuar. Ngjarja ku mbeti i vrarë 23-vjeçari, Gledis Kraja ende nuk ka një motiv të saj, por dëshmitarët okularë janë shprehur se viktima dhe dy autorët e dyshuar kanë debatuar përpara se të qëllonin mbi viktimën. Tani pritet që dëshmia e të arrestuarit të sqarojë rrethanat e e këtij krimi.

Banorë të zonës shprehen se dy autorët e dyshuar, Smakaj dhe viktima, kishin njohje dhe shoqërisë bashku.