BE, presion Bjellorusisë. Opozita kërkon ndihmë, Rusia: Mos ndërhyni

Liderët e Bashkimit Europian shprehën mbështetjen për protestuesit në Bjellorusi. Ata theksuan shqetësimin për zgjedhjet e diskutueshme presidenciale dhe shtuan trysninë ndaj zyrtarëve të lidhur me shtypjen e manifestimeve në vend.

Bashkimi Europian beson se rezultati i zgjedhjeve të 9 gushtit, i cili i dha Aleksandër Lukashenkos mandatin e 6 në krye të vendit, është manipuluar. Blloku, i cili po zhvillon një samit virtual lidhur me çështjen, po përgatit një listë zyrtarësh që mund të sanksionohet për rolin e tyre në trazira.

“Mesazhi ynë është i qartë. Dhuna duhet të ndalet dhe duhet të nisin menjëherë bisedimet paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Lidershipi i Bjellorusisë duhet të reflektojë mbi vullnetin e popullit”, u shpreh Charles Michel.

Pak para nisjes së takimit virtual, opozitarja Sviatlana Tsikhanouskaya e cila sfidoi Aleksandër Lukashenkon në zgjedhje, u kërkoi krerëve të unionit të mos i njohin rezultatet e atyre që i quajti zgjedhje të manipuluara dhe të respektojnë vendimin e popullit të Bjellorusisë.

Ajo kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja nën supervizimin e ndërkombëtarëve. Tsikhanouskaya foli nga Lituania fqinje, ku u largua pas shpërthimit të trazirave në vend. Protesta masive po zhvillohen prej disa ditësh kundër presidentit Lukashenko, por ky i fundit refuzon të japë dorëheqjen dhe akuzon fuqi të huaja për situatën në vend.

Në një deklaratë të martën, ai tha se kishte pozicionuar njësi të armatosura në kufijtë perëndimorë në rastin e një ndërhyrje nga jashtë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është ofruar të ndihmojë ushtarakisht Bjellorusinë nëse do të jetë e nevojshme dhe gjatë një bisede telefonike me Merkel dhe Macron, i paralajmëroi ata të mos përzihen në punët e Minskut, aleat i ngushtë i Moskës.