Kodi Zgjedhor, hyjnë në fuqi ndryshimet e Marrëveshjes së 5 qershorit

Hyjnë në fyqi ndryshimet në Kodin Zgjedhor që ligjëruan marrëveshjen politike të 5 qershorit për Reformën Elektorale. Sipas Kodit të ri, në zgjedhjet e ardhshme do të mundësohet identifikim biometrik i zgjedhësve, një proces që do të menaxhohet nga zv.komisioneri i KQZ-së, që do të vijë nga radhët e opozitës.

Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë një strukturë të re me tri nivele dhe ankimimi do të kryhet në Kolegj Zgjedhor nga gjyqtarë që e kanë kaluar vetting-un. Administrimi i procesit zgjedhor do të vijojë të jetë në duart e njerëzve të politikës, pasi depolitizimi nuk do të zbatohet në zgjedhjet e 2021.

Ndërhyrjet në Kod, që u dakordësuan jashtë Parlamentit, u miratuan në Kuvend më 23 korrik, me votat e 99 deputetëve, përfshirë ato të opozitës parlamentare. Në këmbim të votave të saj, pakica në Kuvend mori në këmbim garanci nga Edi Rama, përmes një marrëveshjeje të firmosur, se do të aprovonte edhe ndryshimet kushtetuese të kërkuara prej tyre.

Një javë më pas, ndërhyrja në Kushtetutë referuar procesit zgjedhor u bë fakt që, sipas opozitës jashtëparlamentare, e zhbën marrëveshjen e qershorit. PD-ja dhe aleatët e saj pretendojnë se hapja e  listave elektorale, jo më pak se 2/3, ka qëllim final heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Me mbylljen e sesionit parlamentar në seancën e 30 korrikut, edhe tryeza e Këshillit Politik mori pushimet, por Reforma Zgjedhore pritet që t’i rikthehen diskutimeve në shtator. Burime pranë mazhorancës thanë për A2 se Këshilli Politik duhet të vijojë diskutimet për përshtatjen e neneve në Kod Zgjedhor, të ndryshimeve kushtetutese që sanksionuan hapjen e listave, të përcaktojë se deri në cilin nivel do të hapen ato, sikurse të dakordësojë ligjin e ri zgjedhor, që hyn në fuqi në 2023 dhe parashikon depolitizim të administratës zgjedhore.

Nga ana tjetër, burime nga PD-ja pohuan se me ardhjen e vjeshtës do të rikthehen në tryezën e dialogut, ndërsa LSI-ja e ka shprehur publikisht vendimin për t’iu rikthyer diskutimeve.