Lukashenko urdhëron shtypjen e protestave, BE vendos sanksione

lukashenko 1100x620

Vijon të japë shenja përkeqësimi situata në Bjellorusi, pasi presidenti Alexander Lukashenko urdhëroi policinë të mos lejojë asnjë protestë në kryeqytet, pas një jave manifestimesh nga opozita kundër regjimit të tij.

Për zhvillimet në Minsk u mbajt dhe një samit online nga Bashkimi Europian, ku vendet e bllokut ranë dakord të mos njohin rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit dhe vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve të lartë të cilët BE i akuzon për shtypjen e protestave.

“Mesazhi ynë është shumë i qartë. Ndalni dhunën”, deklaroi drejtuesi i samitit, Charles Michel. Ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen sqaroi se lista e personave që preken nga sanksionet do të bëhet publike shumë shpejt.

“E gjitha kjo bëhet për popullin bjellorus dhe të drejtën e tyre legjitime për të vendosur për rrugën e të ardhmes së vendit. BE qëndron pranë popullit bjellorus në këto momente”, tha Von der Leyen.