Marrëveshja detare, Greqia shpreh interes për rikthim në tryezën e negociatave

Greqia, një fqinj me ulje ngritjet e veta në raport me Shqipërinë, por pothuaj në çdo dimension, fqinj i rëndësishëm për vendin, duket se aspiron që vitin 2020, veç të tjerash, ta kthejë në vit për finalizim marrëveshjesh të mbetura pezull.

Marrëveshjet për kufijtë detarë i ka mbyllur tashmë me Italinë dhe Egjiptin. Tani është radha e Turqisë, ku në ditët e fundit janë evidentuar tensione edhe pse Turqia si shtet nuk është pjesë e konventës për të drejtën e deteve, çka mund të vështirësojë marrëveshjen. Por, shteti helen ka paralajmëruar se radha për rikthim në tryezën negociatore po i vjen dhe Shqipërisë.

Gazeta greke “Ta Nea” shkruante se Athina do të tentojë të gjejë një gjuhë të përbashkët me Tiranën për të arritur shpejt një marrëveshje për kufirin detar. Gjuhë kjo që së fundmi u thye në vitin 2018, në negocimin Bushati-Kotzias. Por, edhe e njohura si Marrëveshja e Detit e 2009-s u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese më 15 prill 2010, ku presupozohej të humbte 350 km hapësirë detare. Jo vetëm kaq, dosja shqiptaro-greke, që mban pluhurin e 70 viteve, do të duhet të ketë në vëmendje përveç ujrave territorialë, Ligjin e Luftës në fuqi nga viti 1940 e çështjen çame.

Por, a përkon aspirata greke për zgjidhjen e halleve me fqinjët me këtë vit paraelektoral në Shqipëri dhe a ka premisa që një kompromis i mundshëm të përkthehet në rezultat të suksesshëm?

Për të diskutuar për këtë temë, në “Ditari” në A2 ishte i ftuar analisti dhe eksperti i komunikimit Julian Zyla.

“Këto janë çështje që duan dekada që të zgjidhen. Momenti është i favorshëm për faktin që Greqia duket e motivuar për të vënë pikat mbi i me fqinjët e saj detarë. Greqia po përpiqet që të zgjidhë zonën ekonomike ekskluzive. Në rastin e Shqipërisë, kemi pasur edhe diskutime për ujërat territoriale, për shkak të afërsisë sonë me ishujt grekë”, tha Zyla.