Ministria e Arsimit sqaron se kush do të kthehet në shkollë më 31 gusht

ministria arsimit 1100x620

Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë ka reaguar në lidhje se kur fillon viti i ri shkollor, nisur dhe nga problematika e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Përmes një komunikate për shtyp MASR sqaron se viti shkollor nuk fillon më 31 gusht, por më 14 shtator ashtu siç është parashikuar.

Sipas Ministrisë më 31 gusht do të shkojnë në shkolla vetëm nxënësit e klasave 1-5 që nuk kanë pasur akses në mësimin online.

“Nisur nga disa lajme ditën e sotme, MASR nënvizon se viti i ri shkollor NUK FILLON më datë 31 gusht, por më 14 shtator, ashtu siç edhe është parashikuar.

Bëjmë me dije se në datën 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese VETËM me ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020.

Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020.

Zyrat Arsimore kanë identifikuar shkollat dhe nxënësit të cilët mund të jenë pjesë e këtij programi dhe që janë kryesisht nxënës të cilët u përkasin shtresave vulnerabël, romë, egjiptianë apo të zonave të thella gjeografike. Zbatimi i programit plotësues do të menaxhohet nga drejtoritë dhe zyrat arsimore vendore, si dhe shkollat sipas rasteve të identifikuara”, shkruhet në njoftimin e MASR.