Nisja e procesit mësimor, Vokshi: Nuk ka një udhëzues, në disa shkolla mungon dhe uji i rrjedhshëm

Kemi arritur në pikën më të nxehtë të situatës së pandemisë që nga marsi deri tani, ku lufta po zhvillohet tashmë në lëmin e mjekimit dhe të vaksinave. Por, çështja që e bën edhe më të ndjeshme këtë moment është fillimi i shkollës.

Studime të ndryshme herë thonë se moshat e reja janë më të mbrojtura, ndaj shkollat duhet të hapen pa asnjë mëdyshje dhe herë një studim tjetër nxjerr se janë pikërisht moshat e reja bartësit më të mëdhenj, kështu që duhet pasur shumë kujdes.

Pak ditë na ndajnë nga shtatori dhe nëse do vendoset për t’i hapur shkollat dhe nxënësit të shkojnë në klasa, atëherë detyra që del është siguria sa më e madhe për fëmijët. Ministritë përgjegjëse, e Shëndetësisë dhe e Arsimit, në fakt, dolën dhe thanë se janë gati të nisin shkollën në klasa, por duhet marrë edhe vula përfundimtare e Task Forcës.

E teksa debati është në rrafshin shëndetësor, natyrisht që edhe politika nuk do rrinte larg kësaj teme. Opozita mendon se shkollat duhet të hapen, por nuk është menduar asgjë në detaje, sipas tyre.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila ka qenë aktive për këtë temë gjatë dy ditëve të fundit, ishte e ftuar në A2 ku u shpreh se deri sot nuk ka një udhëzues.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona në lidhje me opsionin që ministritë përkatëse, në konsultim edhe me këshillin teknik, do të përcaktonte. Ne nuk kemi edhe sot një opsion të qartë të zgjedhur. Dje nga ministrat u përsërit si dita e parë e shkollës 14 shtatori, por përtej kësaj nuk ka një udhëzues të detajuar. Kosova ka prej javësh një udhëzues të detajuar, një plan masash, një buxhet shtesë.

Ne kemi kërkuar që të punohet mbi secilin variant që do të përzgjidhet. Nuk po kundërshtojmë për të bërë politik, pasi unë jam edhe nënë e dy vajzave. Përtej politikës kam shumë herë më të rëndësishëm shëndetin e fëmijëve dhe kështu është për çdo prind”, u shpreh Vokshi.

Më tej, ish-deputetja e PD theksoi se ka shkolla që nuk kanë ujë të rrjedhshëm, nuk ka një protokoll sigurie dhe këto duhet të plotësohen menjëherë.

“Këtu bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe ne që në fillim kemi dhënë shumë alternativa, i kemi dhënë plane qeverisë pa pasur nevojë për kredite. Tani, ne i themi qeverisë të punojë mbi të trija opsionet e përmendura. Shkollat nuk kanë ujë të rrjedhshëm, nuk ka një protokoll sigurie. Para se të hapin dyert, shkollat duhet të plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Si prind, unë i kërkoj qeverisë të sigurojë çdo mësues që ka marrë të gjitha masat në çdo shkollë, në mënyrë që asnjë fëmije dhe asnjë mësuesi t’u cenohet shëndeti”, u shpreh ish-deputetja e PD.