Thirrja e Papa Françeskut: Vendet e pasura të mos grumbullojnë vaksinat për vete

Papa Françesku iu bëri thirrje vendeve të pasura që të mos grumbullojnë vaksinat kundër Covid-19 vetëm për vete. Sipas atit të shenjtë, një zhvillim i tillë do të ishte shumë i trishtë.

“Pandemia ka ekspozuar gjendjen e vështirë të të varfërve dhe pabarazitë e mëdha që mbretërojnë në botë. Virusi, duke mos bërë përjashtime mes njerëzve, ka gjetur rrugën më shkatërruese, pabarazinë dhe diskriminimin, duke i shtuar ato.

Do të ishte shumë e trishtë nëse të pasurve do t’iu jepej përparësi në vaksinën kundër Covid-19. Do të ishte e trishtë nëse kjo vaksinë do të bëhej pronë e këtij apo atij shteti dhe nëse nuk do të ishte universale dhe për të gjithë. Dhe çfarë skandali do të ishte nëse të gjitha ndihmat ekonomike që ne shohim, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga fondet publike, të përqëndroheshin në shpëtimin e kompanive që nuk kontribuojnë në përfshirjen e njerëzve që normalisht janë të përjashtuar”, shprehet Papa Françesku.