Burimi i ujësjellësit ishte i helmuar, banorët e qytetit dëmshpërblehen me 600 milionë dollarë

flint ujesjelles 1100x620

Prej vitit 2015, pothuajse asnjë banor i qytetit të Flint, në Miçigan, nuk ka guximin për të pirë ose gatuar me ujin e çezmës. Shumë prej tyre, madje, hezitojnë edhe të lahen me të.

Por ndërkohë që problemi i tyre madhor do të zgjidhet së shpejti me transferimin e ujësjellësit në një burim të pastër, secili prej tyre do të ketë të drejtë për një dëmshpërblim domethënës, nga më të mëdhenjtë e historisë së Shteteve të Bashkuara.

Historia filloi në vitin 2014, kur autoritetet e ujësjellësit transferuan burimin e qytetit nga liqeni Huron te lumi Flint.

Një vit më vonë, mjekët vendas ngritën alarmin mbi nivelin e lartë të plumbit në gjakun e fëmijëve në Flint, dhe shkaku kryesor u identifikua pikërisht te uji.

Sipas hulumtimeve të mëtejshme, pikërisht një punim jo konform standardit të sigurisë kishte lejuar që terreni i pasur me plumb të kalonte përmes tubacioneve të ndryshkura, duke përfunduar në rrjet bashkë edhe me elemente të tjera të rrezikshme.  

Pasojat në disa raste ishin dramatike, ku një vatër e asaj që quhet “sëmundja e legjionarëve” (Legionellosis) shpërtheu përreth qytetit, duke shkaktuar disa të vdekur dhe dhjetëra shtrime në spital.

Pas më shumë se një viti beteje gjyqësore, tashmë Gjykata e Miçiganit i ka dhënë të drejtën e dëmshpërblimit banorëve të qytetit, që sipas dëmtimit shëndetësor që kanë marrë do të ndajnë rreth 600 milionë dollarë.