Maqedoni e Veriut, propozohen emrat e ministrave, shqiptarët në poste kyçe

MAQEDONIA QEVERIA frame 319 1100x620

Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në takime të ndara në Shkup dhe Tetovë u dakordësuan mbrëmjen e së mërkurës mbi emrat e kabinetit të ri qeveritar.

Oliver Spasovski, aktualisht kryeministër i qeverisë teknike do ta drejtojë Ministrinë e Brendshme, post që e kishte mbajtur edhe para se të vinte në drejtim të ekzekutivit. Në krye të Ministrisë së Jashtme do të jetë Bujar Osmani, i BDI-së, hera e parë që një shqiptar ka këtë post në Maqedoninë e Veriut.

Nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, postin më të lartë në ekzekutiv nga radhët e BDI-së, do ta ketë Artan Grubi, bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit Ali Ahmetit, që do të shërbejë si zëvendëskryeministër i parë dhe drejtues i Ministrisë për Sistem Politik.

Në Qeverinë e re që pritet të marrë dritë jeshile në Kuvend, Financat dhe Ekonominë do t’i kenë në dyar tre ministra shqiptarë, dy nga BDI;  Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi dhe një i propozuar nga LSDM, Fatmir Bytyqi.

Nikolla Dimitrov do të drejtojë Sekretariatin e Çështjeve Europiane, Radmilla Sheqerinska do të vazhdojë të mbajë postin e Ministres së Mbrojtjes dhe Venko Filipçe atë të Shëndetësisë.  

Lëvizjes Besa, e cila doli në koalicion me LSDM-në në zgjedhjet e 15 korrikut, pritet t’i lihet Ministria e Bujqësisë. Emrat e propozuar do të duhet të marrin miratimin në Kuvendin që do drejtohet sërish nga Talat Xhaferi. Shumica e re parlamentare do të ketë pro 62 ligjvënës, mjaftueshëm për miratimin e qeverisë.