Mbytja e 17-vjeçares në Velipojë, policia arreston një 25-vjeçar

Gjetja e trupit të pajetë të një 17-vjeçareje në plazhin e Vilunit në Velipojë, duket se ka hapur një hetim, pasi dyshohet se nuk kemi të bëjmë thjesht me një ngjarje fatkeqe të mbytjes së adoleshentes.

Për këtë arsye, Policia e Shkodrës, pas veprimeve të para, ka kryer arrestimin e 25-vjeçarit Indrit Bajraktari, i cili ka qenë personi që kishte marrë në një motor uji 17-vjeçaren. Sipas policisë, Bajraktari dhe vajza minorene kishin dalë së bashku në det rreth orës 14:00, ndërsa rreth orës 16:30, 25-vjeçari ka dalë i vetëm në breg, duke e lënë vajzën të mbytur në det.

Ndaj të riut policia ka ngritur akuzat e shkaktimit të vetëvrasjes, moskallëzimit të krimit dhe kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Por, ajo që është më kryesorja në këtë ngjarje tragjike, është fakti se si ka humbur jetën 17-vjeçarja është ende e paqartë dhe e pasqaruar as nga policia.

Ashtu sikurse nuk janë të qarta as akuzat e ngritura për shkaktim të vetëvrasjes në një kohë kur nuk jepet asnjë shpjegim se çfarë veprimesh ka kryer 25-vjeçari i arrestuar, që i kanë shkaktuar vetëvrasjen vajzës. Burimet janë shprehur se në trupin e kësaj të fundit janë konstatuar dëmtime të cilat ende nuk janë përcaktuar nëse janë si pasojë e dhunës apo goditjes nga ndonjë mjet ujor.  

Arrestimi i 25-vjeçarit Indrit Bajraktari dhe pyetja e tij pritet të zbardhin këtë ngjarje të mbuluar me mister.