Si dhurohet plazma? Terapia për të sëmurët rëndë me koronavirus

Me rritjen e rasteve të rënda dhe viktimave nga Covid-19, edhe Shqipëria nis trajtimin me plazmën konvaleshente. Produkti sigurohet nga dhurimet e gjakut dhe vetëm nga personat që janë shëruar nga koronavirusi.

Edhe për këtë proces ka disa kritere që duhet të përmbushin dhuruesit dhe të shëruarit nga infeksioni.

“Dokumentimi i sëmundshmërisë që ata kanë pasur dhe shërimi nga sëmundja. Duhet që këta të shëruar të kenë të paktën 28 ditë pa simptoma nga shërimi i tyre dhe më pas mund të pranohen. Një kriter tjetër është edhe fakti që femrat nuk duhet të kenë pasur shtatzani të mëparshme”, tregon Irena Qendro, drejtoreshë e Bankës së Gjakut.

Drejtoresha e Bankës së Gjakut tregon se menjëherë pas dhurimit bëhet procesi i ndarjes së plazmës me antitrupa.

Ajo ka afat ruajtje deri në 1 vit, ndërkohë që plazma e një dhuruesi përdoret vetëm për një pacient.

“Qytetarët që e kanë kaluar koronavirusin dhe plotësojnë kriteret të vijnë dhe të dhurojnë gjak në mënyrë që ne të përfitojmë sa më shumë plazma të shëruarish dhe të ndajmë ato plazma që do të duhen pastaj për t’u përdorur në klinikë. Produkti në klinikë do të përdoret vetëm nën indikacionin e mjekut dhe për pacientët që ai do të zgjedhë”.

Terapia e plazmës me antitrupa ndaj Sars COV 2 po përdoret gjerësisht në botë për trajtimin e të sëmurëve rëndë me koronavirus.

Një ditë pas hapjes së bankës së plazmës, 6 të shëruar janë bërë dhurues për të sëmurët aktualë, mes tyre edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Nga fillimi i epidemisë janë prekur nga koronavirusi rreth 8 mijë persona. Aktualisht, gjysma e tyre janë të shëruar dhe një mundësi për të shpëtuar pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore.