Alarmi i “The Economist”: Ballkani po tkurret, popullsia e Shqipërisë do të ulet me 26% deri në 2050

Alarmi i “The Economist”: Ballkani po tkurret, popullsia e Shqipërisë do të ulet me 26% deri në 2050
Revista e njohur “The Econimist” jep alarmin për plakjen e popullsisë në vendet e Ballkanit. “Po plaken, po vdesin, po largohen”, titullohet artikulli i kësaj reviste, ku analizohen arsyet e emigrimit, sipas të cilit, problemet e shumta të rajonit i shtyjnë njerëzit e rinj dhe të talentuar të largohen.
Por, ato nuk do të arrijnë të kapin pjesën tjetër të Evropës pa këtë potencial, që do të gjeneronte prosperitet.
“Në të gjithë Ballkanin, popullsitë po zvogëlohen e plaken dhe nëse situata nuk ndryshon, edhe më shumë do të largohen”, theksohet në artikull.
Në grafikun e paraqitur nga “The Economist”, për Shqipërinë parashikohet që popullsia do të reduktohet me 26% deri në vitin 2050, në krahasim me vitin 1989. Kjo është tkurrja më e madhe në Ballkan, me përjashtim të Bosnjës.
Sipas grafikut, reduktimin më të ulët do e ketë Mali i Zi (3%) dhe Kosova (11%). Artikulli vlerëson se në afat të shkurtër qeveritë nuk e kanë problem emigrimin sepse ul papunësinë dhe rrit dërgesat nga jashtë. Por, në planin afatgjatë, pasojat do të jenë katastrofike.