Dorëhiqet ministri në Irlandë, theu masat ndaj koronavirusit

Ministri irlandez 1100x620

Dara Calleary, ministri irlandez i Bujqësisë, dha dorëheqjen të premten pasi shkeli masat kufizuese të vendosura për pandeminë.

CNN shkruan si ai mori pjesë në një event me 80 të pranishëm, duke thyer rregullat. “Pjesëmarrja e tij në atë ngjarje ishte e gabuar. Njerëzit në të gjithë vendin kanë bërë sakrifica të mëdha gjatë kësaj periudhe”, u shpreh lideri irlandez, Micheál Martin në një deklaratë.

Irlanda ka forcuar ndjeshëm masat gjatë kësaj jave pas shtimit të rasteve të reja me koronavirus.

Gjatë një interviste të dhënë para se të merrte pjesë në darkën me 80 persona, Calleary u bëri thirrje qytetarëve të zvogëlojnë kontaktet sociale, duke insistuar se të gjithë duhet të jepnin ndihmesën e tyre në këtë situatë.

Edhe politikanë të tjerë që morën pjesë në atë organizim po përballen me presionin për të dhënë dorëheqjen.