Energjia elektrike, PD: Çmimi dhe problemet me furnizimin dëmtojnë biznesin

bozdo 1100x620

Biznesi shqiptar vuan nga sistemi i energjisë elektrike, deklaroi Eno Bozdo i Partisë Demokratike.

Sipas tij, problem nuk është vetëm çmimi i rritur, por edhe ndërprerjet në furnizim që i kushtojnë ekonomisë shqiptare 2% të prodhimit të saj.

“Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, me përjashtim të Malit të Zi. Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria renditet e 21-ta në Europë, duke lënë mbrapa, pra duke pasur çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike, vende të zhvilluara të BE si Gjermania, Franca, Hollanda, Suedia, Anglia etj. 88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve, sot paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Një familje shqiptare paguan mesatarisht 64 mijë lekë të vjetra në vit më shumë. Bizneseve u është rritur çmimi me mesatarisht 20%. Fashat të caktuara të biznesit shkojnë në rritje të çmimit nga 35 deri në 40%. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, anketimit mbi ndërmarrjet, 43% e kompanive që operojnë në Shqipëri e cilësojnë furnizimin me energji elektrike si pengesën kryesore të të bërit biznes. Kjo shifër 7 vite më parë ishte vetëm 20%. Sot përllogaritet, sipas raportit të BB, që 2% e prodhimit të ekonomisë shqiptare humbet si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike. Është afërsisht një shifër 200 milionë euro në vit”, tha Bozdo.