Gabimet në llogaritë bankare, 588 individë nuk kanë marrë ende pagën e luftës

Të gjithë ata që nuk kanë marrë pagën e luftës, kanë kohë edhe pak ditë për të rregulluar gabimet në deklarimin e të dhënave në sistem, pasi 25 gushti është afati i fundit i lënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se janë ende 588 individë që nuk kanë saktësuar të dhënat bankare. Gabimet që janë konstatuar që prej prillit, kur nisi shpërndarja e paketës së parë financiare e vijuan më pas edhe me paketën e dytë, janë gabimet në deklarimin e IBAN-it dhe emrit të bankës; problemeve me mbiemrat e përfituesve që nuk është i njëjtë me atë të regjistruar në llogaritë bankare, si dhe me vonesat në disbursim nga numri i lartë i përfituesve shpërndarë në të gjitha bankat.

Por, sa kanë arritur këto dy paketa, që në total kapin një vlerë rreth 130 milionë euro, ekuivalent me 1,3% të GDP-së, që të ndihmojnë të papunët e COVID- 19?

Azmi Stringa, ekspert për ekonominë, shprehet: “Fatkeqësisht, paketa rezulton të jetë shpërndarë në disa muaj, gjë që nuk e ka bërë efektive pasi duhej shpërndarë në moment. Ka qenë edhe e pamjaftueshme”.

Për të përballuar krizën, qeveria shqiptare ka marrë rreth 1 miliard euro borxh, duke e çuar nivelin e këtij treguesi në 80% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Shqetësimi është se këto para nuk janë injektuar në ekonomi për të ndihmuar rimëkëmbjen, por për të financuar deficitin buxhetor nga mosrealizimi i të ardhurave.

Ekspertët shpjegojnë se risqet fiskale mbeten të larta edhe për pjesën tjetër të vitit, çka rrit shanset që të merret sërish borxh, në kushtet kur ekonomia rrezikon një recension edhe më të fortë se ai -5%, të parashikuar nga qeveria për këtë vit.